“Bërthama e qytetit”

“Bërthama e qytetit” – zona gjeneruese e Prishtinës

“Nuk kapërceja një ditë pa shkuar në Çarshinë e mbuluar. Në të shumtën e herëve këtë e bëja vetëm sa të shëtisja sokaqeve të saj të ngushta. Një gjë e pa përballueshme më tërhiqte të kaloja andej….”

Dy janë elementet themelore të cilët ndikuan që Qendra e Prishtinës të jetë aty ku është (Fig. 3). I pari ka të bëjë me elementin natyrorë: kodra e Gërmisë (Taukbahçja) dhe Arbëria, prania e dikurshme e dy lumenjve Prishtevka dhe Vellusha. Rëndësi të posaçme patën dy itineraret kryesore të cilët priten në mes veti mu në pjesën ku lindi bërthama e qytetit si zone gjeneruese e Prishtinës. Itinerari lindje perëndim (Divanjolli) që vinte nga Taukbahçja dhe vazhdonte në Arbëri, si dhe ai i cili shtrihej në veri-jug, i rëndësishëm në lidhjen me qytetet tjera të Ballakanit.

Bërthama e qytetit ishte e kompozuar nga përmbajtjet publike e rrethuar me zonat e banimit të shpërndara afërsisht njësoj në të katër drejtimet e qytetit. Grupi i shtëpive familjare, të rethuara me oborre të mëdha dhe mur të jashtëm krijonte blloqet e formave të parregullta. Ndarja e hapësirës private nga ajo publike bëhej strikt me murin e lartë të jashtëm që rrethonte oborret e këtyre shtëpive. Rrugët e ngushta rreth këtyre blloqeve deklaronin intimitetin e këtyre grupeve familjare që tradicionalisht njiheshin me emrin “mahalla” – lagje. Dy indet – rrugët kryesore që e ndikuan zhvillimin e atëhershëm ishin: “divanjolli”, apo indi lindje – perëndim që vinte nga Taukbahcja dhe kalonte mu përmes qendrës së qytetit, ku zinte vend çarshia dhe vazhdonte deri te stacioni i vjetër i trenit (në Arbëri) i njohur si indi i jetës publike në qytet. Indi tjetër veri – jug ishte më shumë i një rëndësie ekonomike për qytetin, përmes të cilit, karvanët kalonin për në qytetet e tjera të rëndësishme të Ballkanit. Përgjatë kohës kjo rrugë do të shndërrohej në një bosht të zhvillimit fizik të qytetit1. Indi kryesor urban, “divan-jolli,” dhe, zona e tregut shtriheshin mu në mes të qendrës së qytetit. Çarshia karakterizohej prej dy pjesëve: pjesës së mbuluar dhe asaj të hapur. “Divanjolli” ishte një rrugë shumë e gjerë në krahasim me rrugët e tjera dhe e pasur me shumë përmbajtje. Kjo ishte hapësira ku karvanët tregtarë dhe aktivitetet zejtare ishin të grumbulluara. Shumica e objekteve pranë çarshisë ishin të ndërtuara nga materialet e këndshme natyrore, pa ndonjë monumentalitet të theksuar, në proporcion me shkallën humane. Në përfundimin e çarshisë, në drejtim të tatëpjetës për Taukbahçe, kah lindja, tri xhamitë kryesore ishin pozicionuar duke e dominuar hapësirën për nga dimensionet dhe lartësia e tyre. Hapësira përreth xhamive krijonte një shesh të parregullt pranë të cilin ishin vendosur, po ashtu edhe sahat-kulla dhe hammami. Nga rrëfimet e njerëzve të vjetër të qytetit, numri i madh i dyqaneve të çarshisë ishin në pronësi të jahudijve, posaçërisht pjesa e dyqaneve në zonën e çarshisë së mbuluar në përfundim të së cilës ishte e vendosur sinagoga “avra”. Dyqanet ishin 1 deri në 2 kate dhe numri i tyre arrinte diku në 500, siç thuhet në disa dokumente të asaj kohe2.

Çarshia edhe më tutje zinte pjesën qendrore të qytetit, ndërsa vetë qyteti shtrihej në mënyrë gati radiale në të katër drejtimet. Ndërtimi i veçantë i mëhallëve (lagjeve) të reja, të krijuara pas vitit 1878, përfshin: Mëhallën e Muhaxhirëve, rrugën e Vuçitërnës, Mëhallën e Çeklikut, Panagjurishten (e cila bëhet pjesë banesore e qytetit dhe në pjesën jugore të saj ndërtohen kazermat). Divanjolli zgjerohet dhe merr konturat e kufijve të tashëm. Megjithëse zgjerohet edhe në veri dhe në lindje, qyteti dendësohet në llogari të kopshteve dhe të bahçeve3.

Kompleksi i dyqaneve të Çarshisë së mbuluar sipas, Shrafedin Sylejmanit4 shtrihej në hapësirën ku sot ndodhen: Ndërtesa e Parlamentit të Kosovës, Ish-ndërtesa e vjetër e PTT-së, Sheshi Adem Jashari (trekembeshi), ndërmjet Parlamentit dhe Kuvendit të Komunës, dhe kalonte nëpër një pjesë e ndërtesës së Qeverisë. E gjithë kjo pjesë e përshkruar, kufizohej nga ana lindore me rrugën Agim Ramadani, rrugën lidhëse Bedri Peja dhe me ndërtesën e qeverisë.

Fusnota:

*1 E. Hoxha, Prish-ti-na, (Trashëgimia e Prishtinës),– CHwB Kosovo office Report series No. 12/2008-Prishtinë; fq. 7
*2 E. Hoxha, Prish-ti-na, (Trashëgimia e Prishtinës),– CHwB Kosovo office Report series No. 12/2008-Prishtinë; fq. 10
*3 “Plani i Përgjithshëm Urbanistik i Prishtinës deri në vitin 200 – Projekt” KKP, Prishtinë qershor 1987, fq. 17
*4 Kryetar i komunës së Prishtinës në vitet 1963-1967