Muzeu imagjinar dhe arkitektura e përçudnuar e kryeqytetit
nga Anyla Berisha
Më tërhoqi jashtë mase vëmendjen një artikull i botuar së fundmi në “Koha Ditore“ lidhur me zvarritjen e projektit të Muzeut të Eksodit Prishtinë. Mosekzistimi i një Muzeu të tillë në kryeqytet me të drejtë meritonte një shkrim prej gjysmë faqeje në të përditshmen tonë, por titulli, që përbënte thelbin e problemit sipas zyrtarëve përgjegjës për këtë institucion, ishte më prekësi nga të gjithë; arsyetimi për gjithë këtë zvarritje të një projekti për muzeun qenka thjeshtë fakti që nuk ka një koncept! Mungon koncepti!
Loja e famshme e hedhjes së fajit si të ishte top ping pongu vazhdon dhe kapet për një letre të shkretë ku sipas ish drejtoreshës së Drejtorisë së Kulturës Vlora Dumoshi figuron në të vërtetë koncepti i prezantuar në projekt-propozimin por që sipas drejtorisë së tanishme është mohuar të jetë e vërtetë. Ekziston apo jo një letër e tillë, e rëndësishme është ajo që kjo letër përmban dhe sipas deklaratave të tyre, “udhëzon sesi të realizohet puna përgatitore, rolin që duhet të luajë administrata dhe parasheh themelimin e e një grupi të konceptit, në përbërje të dhjetë anëtarëve të cilët duhet të krijojnë konceptin për muzeun memorial, duket përfshirë qëllimin, motivin e vizionin, arkitekturën e muzeut dhe detaje të tjera” shkruhet në artikull. Nënvizoj me laps, “arkitekturën e muzeut dhe detaje të tjera”.
Gjithashtu, ish-drejtoresha tregon bindshëm që ideja e përgjithshme përmblidhet në një ekspozitë permanente fotografish, relikesh, video-xhirimesh e tregimesh që do të botohen dhe publikohen në këtë Muze. Kishte deklarata të atilla të tipit: “Vetëm mjafton një muzeolog të caktojë disa pika dhe t’i përmbledhë ato në një dokument”. Thjeshtë, shpejtë, shkurtë, ashtu siç e kemi zakon t’i kryejmë punët e përgjegjësitë që na takojnë! Megjithe bujarinë e drejtorit të degës në Kosovë për cHwB, Shoshi i cili siguroi se Organizata që ai përfaqëson do të ndihmonte në këtë aspekt, problemi akoma jo vetëm që nuk është zgjidhur, por as nuk është spikatur;
Si përherë edhe në këtë rast arkitektura është thjeshtë një detal, që do të krijohet, ose thënë më mirë do të duhej të krijohej patjetër nga 10 njerëz që përzgjidhen së brendshmi e që me doemos në fund do të nxjerrin një krijim të tyrin në letër çfarëdo qoftë ai, se me rëndësi, është që Muzeu i Eksodit të ndërtohet dhe për ndërtimin e tij, mund të kontribuojnë edhe njerëz jashtë fushës së arkitekturës. Sa për të dhënë një ilustrim, sado i pa drejtë që mund të tingëllojë, do të mund të hidhnim sytë mbi Objektin e Muzeut të Hebrenjve në Berlin, kushtuar përkujtimit të hebrenjve të vrarë në gjenocid: Filozofia dhe koncepti i Liebeskind në krijimin e tij, nis dhe mbaron në vetë arkitekturën e objektit; Ai ka përdorur aksin që përshkon objektin pothuajse në tërë gjatësinë e tij, përmes shtegut të drejtë dhe të gjatë, i përcjellë nga lartë nga format e mprehta dhe lojën e dritës/hijes me të cilën kryqëzon akset mbi kokat e vizitorëve. Në përfundim të tij takohet me shkallët, mbi të cilat shtrihet lartësia e ekzagjeruar e katit, që përfaqëson “zbrazëtirën” e tejshkuar nga “bajoneta” betoni, përderisa poshtë tyre vizitorët zbresin ngadalë drejt fundit të panjohur të korridorit të errët, fragment që arkitekti polak e krijoi teksa dëgjonte kompozimin neo-barkoian të mjeshtrit Venecian Tomaso Albioni Adagio në G-mol për violinë, harqe dhe organo, kombinimi ideal për të përcjellë tragjedinë e ecjes tragjike të hebrenjve drejt vdekjes.
Në fund, Holokausti, klimaksi i ecjes së përjetshme, mishërohet me misticizëm të zymtë mu tek fundi i shkallëve, ku mbin një derë e hekurt që të çon në dështimin final: Zbrazëtirë. Kulla 24 metërshe, e zhveshur në beton (natyrisht), pa ngrohje, e pa izoluar, e zbrazët, e ndriçuar dobët vetëm nga një çarë në nivelin e tokës mposhtë së cilës vizitorët e hutuar rrinë dhe rrotullohen në dhomën e zbrazët, të pa sigurte çfarë të ndjenjë, apo si të reagojnë kundrejt të panjohurve pranë tyre. I gjithë ky përjetim, teksa përshkon mureve të zhveshura të objektit, këndeve të thyera të hapjeve në fasadë, që po të merren e të shtrihen në plan të parë, do të formonin hartën me shënjimet e adresave të hebrenjve të vrarë në Holokaust.
Arkitektura është e aq e fuqishme sa të ri-sjelle tragjedinë e dekadave më herët, e të arrijë të prekë ndërgjegjen e secilit; është simbol i heshtur që ngrihet krenar mu në mes të Berlinit. Dhe nuk pati nevojë për fotografi bardh e zi, as për video me turma njerëzish që enden sy çjerrë drejt vdekjes, nuk pati nevojë të përkujtohej detajisht krimi i pafalshëm; Arkitektura e realizon shumë mirë këtë efekt, në mënyrën e saj të heshtur, të vazhdueshme, duke zbuluar pak nga pak vetveten; çdo gjë me kohë, çdo gjë në hap.
Kaluan muaj para se kuratorët të mbushnin hapësirën e Muzeut me stenda, rafte, korniza, stenda ndriçimi a gjithçka tjetër; Ata nuk qenë të sigurtë si të trajtonin interierin e një objekti që flet vet; Nuk qenë të sigurt ku të varnin fotografitë në gjithë atë hapësirë muri të çarë nga linja të kryqëzuara. Muzeu u hap zyrtarisht për publikun e gjerë akoma pa u ekspozuar asgjë në të; Dhe njerëzve iu pëlqeu i tillë! Ju pëlqeu ndjenja e të përjetuarit gjuhën e arkitekturës ; atë që e ndan nga të gjitha artet e tjera: Gjuha e hapësirës, ose zbrazëtisë; Quajeni ajër, quajeni kufizim, ose rikrijim, ajo është aty, ekziston, të rrethon ty, mua dhe të gjithëve, dhe përmblidhet hyjnishëm brenda mureve, shtigjeve mbi ose nën tokësore, të vëna aty me një qëllim; me qëllimin e përjetimit të një kujtimi, të një tragjedie, që në mënyrë të përkryer e ka vulosur me mbishkrimin e tij arkitekti që vetë i mbijetoi Holokaustit çnjerëzor!
E pra, se u zgjat shumë. E thash edhe më lartë që nuk është e drejtë të bëj të tilla krahasime, le që, edhe në Berlin ka projekte që dështojnë, që nisin dhe ndalen, që kanë shkurtime fondesh, por mbi të gjitha, nuk ka mungesë koncepti! Nuk guxon të ketë mungesë koncepti! Ajo që mungon në të vërtetë, është thjeshtë mundësia! Mundësia që duhet tu jepet të gjithëve të tregojnë idenë e tyre, përjetimin e tyre personal! Duhet të mësojmë të fillojmë nga koncepti tek objekti, e jo vice-versa. Duhet të mësojmë që një Muze nuk ndërtohet nga një muzeolog (megjithëse ata janë pjesë kyçe e projektit), as nga organizata a Nisma për të drejtat e njeriut, e aq më pak, nga 10 anëtarë komisioni të përzgjedhur me paramendim, që mbi të gjitha, shanset janë shumë të mëdha që të kapen me mish e me dhëmbë për një shtyllë (të tipit klasik me siguri) që do t’i mirëpriste vizitorët në hyrjen “madhështore” dhe klasike që u shkon për shtati shijeve artistike të shumicës së vendit ( paragjykim personal, ndoshta dhe gaboj). Por po qe objekti i mbingarkuar me kthesa e dekorime që janë hequr qafe me shumë rezistencë dekada më parë, konsiderohet “i bukur”, ndoshta për shkak të ngjasimit me pallatet luksoze që flenë në ëndrrat më të largëta të çdo bashkëkombësi. Po fundja kur m’vishet një kryeqytet i tërë me nur klasicizmi, në anën tjetër të kufirit tonë, e ç’kemi ne që të mos trajtojmë vilat private me këtë elegancë?
Anash shijeve personale, duhet të mësojmë pas gjithë kësaj kohe, të trajtojmë arkitekturën me dinjitetin që i takon; Arkitektura flet, tregon. Është simbol i një kulture, populli, identiteti, historie, gjendje ekonomike, sociale, politike, i përfshin që të gjitha! Është takimi i parë i një të huaji me një vend të panjohur dhe është pamfleta që jep informatat e para, e që më shumë gjasë janë të sakta deri në fund! Arkitektura nuk mund të trajtohet më thjeshtë si kulm mbi kokë, as si tërësi e katër mureve që mbajnë kulmin dhe hapin dritaret, apo ku varim foto reportazhet e luftërave për të treguar tragjedinë e një kombi të përshkelur ndër shekuj! Nuk mundemi më të lëmë arkitekturën mënjanë e të merremi vetëm me strukturën e objektit, e të ndërtojmë Muzeun e Eksodit siç kemi ndërtuar gjithë qytetin e pas luftës, një tullë sot një dritare nesër.
Të paktën jo tek një objekt Muzeu, që është ura lidhëse me gjithë botën e intelekutalizuar, që hyn e del në shtëpitë (muzetë) e çdo kryeqendre evropiane (në daçi gjeografikisht, në daçi politikisht Evropë). Mund të mos kemi një Liebeskind, mund të jemi vite drite larg qytetit të Berlinit, Romës, Athinës, Parisit e të gjithë të tjerëve dhe as nuk mund të kërkojmë nga vetja të kapërcejmë fazat nëpër të cilat duhet kaluar për hir të kohës së humbur nga padrejtësitë e fatit që rënduan mbi shpinë. Por mund të kemi arkitektë që do të mund të nxjerrë më së miri shpirtin e qytetit, dhimbjen e luftës, përjetimet e një kombi; që është prekur edhe ai njëjtë nga tragjedia jonë e përbashkët, e që do t’i përcillte ndjenjat në një arkitekturë të denjë, përtej bindjeve politike, sociale apo çfarëdo qofshin ato e mos flasim, përtej anomalive apo eklektizmit ndër shekullor. Na përket neve, të tregojmë historinë tonë!
“Armiqtë e shqiptarëve janë vetë shqiptarët”, ka thënë Konica, por meqë s’dua të lë shijë të hidhur, po kthej faqen tjetër kësaj radhe, po me Konicën që thotë: “Ky komb, megjithëse ca të liga që ka, është kombi ynë.”