Urbanizmi si lexim i qytetit

nga Enesa Xheladini

Qyteti i Prizrenit ka ardhur në jetë pa ndihmën e projektuesve dhe është formësuar duke u adaptuar me jetën e përditshme të qytetarëve. Beteja në mes të këtij adaptimi (urban) pra të asaj që vjen me ate që shkon e krijon pamjen aktuale të qytetit.

Kjo analizë është një kritikë ndaj dinamikës kaotike të urbanizmit në Prizren në 15 vitet e fundit. Analiza është e ndertuar rreth argumentit se ndërtimi gjatë kësaj periudhe ka qenë shkatërrues dhe ka sulmuar identitetin dhe shpirtin e qytetit. Ky transformim e ka shndërruar Prizrenin nga një qytet vernakular në një hapësirë pa dimensione.

Mungesa e identitetit urban

Që nga paslufta, procesi i ndryshimit të struktuës urbane dhe sociale është përshpejtuar duke e bërë mjaft kaotike të jetuarit në qytet. Nga mungesa e stabilitetit politik, ky degradim i vlerave kulturore i ka hapur rrugë shoqërisë së ekstremeve dhe transformimeve urbane me një ritëm të shfrenuar, që sipas Vedran Mimica “…se gjatë apo pas luftës, asgjë nuk është e pamundur dhe joligjore, sidomos nga pikëpamja social-kulture…”.Duke iu referuar Ballkanit në përgjithësi, ndër të tjera ai nënvizon se: “përveç potencialit të shkëlqyer për zhvillim, këto vende janë rrënuar prej mungesës së politikave, njohurive dhe menaxhimit, që vjen nga mungesa e përfaqësimit dhe transparencës, nga mungesa e infrastrukturës qeverisëse dhe nga pronësia e paqartë e tokës. Mungesë e tokës publike për zhvillime me interes publik dhe sidomos për mungesën e një identiteti të ri urban!…”

Aspekti i sotëm social “Turbo-urbanizmi”

Arkitektura e pasluftës e Prizrenit konsiderohet arkitekturë e improvizuar që siç po shihet, po krijohet pa ndihmën e një arkitekti të mirëfilltë. Kjo tashmë ka marrë stilin e saj dhe duket se është bë pjesë e kulturës qytetare e cila po imponohet sidomos nga imazhet e mediave, TV-së, reklamave që flasin për një “jetë të mirë”… dhe këtë imitim e hasim pikërisht në qendër të qytetit e cila nuk ndalet në procesin e përshtatjes me format e reja të jetës. Objekti i Hotel Therandës, i ndërtuar nga rrënimi i dyqaneve të Kompleksit Arasta diku rreth pjesës së dytë të viteve të 50-ta, vazhdoi transofmim të mëtejmë.

E ky transformim tani vjen nga format e huazuara të mediave në kombinim me përdorimin e materialeve dekorative pa shije, fasada strukturale si duralumin, alukobond, xhama reflektiv etj. duke krijuar një stil gati neoklasik, viktorian apo duke krijuar një miks të stilit të lirë që i ngjan stilit të muzikës turbofolk.[1] Prandaj nuk është e rastësishme që kjo muzikë, ashtu si edhe turbo-arkitektura, turbo-urbanizmi kanë gjetur strehë në Prizren sepse të dyja në fakt shprehin tendencën për shkëputje nga lidhja me traditat, vlerat rurale, duke dëshmuar për statusin e atyre që kanë migruar drejt qytetit; sepse qyteti shndërrohet në një vendtakim që mundëson integrimin e shoqërisë lokale në ate globale.

Ndërtimi përmes shkatërrimit

Transformimi i qytetit nuk ndodh vetëm duke ndërtuar por edhe duke “shkatërruar”. Ka raste kur vendimet për “shkatërrimin” e objekteve të veçanta fitojnë një konsensus të shpejtë pasi motivohen nga aksione të caktuara politike për të shkatërruar shenjat fizike të ekzistencës së një kulture hibride. Ajo çka po shohim në qytet është rezultat i ndërhyrjeve të përnjëhershme në moment të caktuar. Këtë më së miri e shpjegon rasti i Jugobankës! Është ajo që Michael Moorcock në vitin 1963 e ka quajtur “urbicid” – “dhunë në trupin urban”, për ta krahasuar me termin gjenocid. Sot, edhe pse me vonesë, e kuptojmë se edhe ky operacion nuk ka bë asgjë tjetër veç se ka kontribuar në zhdukjen e memorieve, ka tronditur lidhjen e njeriut me qytetin dhe mirëqenien shpirtërore të një vendbanimi.

Nga ana tjetër, fenomeni apo trendi i ri i “ndërtimit”, intervenimit emergjent nën maskën e restaurimit dhe konzervimit të shtëpive tradicionale urbane përmes një projekti të thjeshtë dhe financiarisht modest të komunës, ai i “lyerjes së fasadave”, si një akt i përkohshëm i performancës arkitektonike sipërfaqësore e tipit buzëkuq (sa vet kohëzgjatja e saj) është në gjendje ta zgjidh problemin e vërtetë QELIZËN E QYTETIT!

Si dhe pse qyteti ka marë formën ashtu siç e ka sot? Pse disa hapësira publike krijojnë bashkëjetesë sociale ndërsa disa tjera jo? Kështu për shembull nëse i referohemi rastit të Kej-it, bashkëjetesa sociale është si e ndarë me thikë. Në krahun e majtë të urës së Arastës kemi një vazhdimësi organike sociale që rrjedh nga kafenetë sipër, ndërsa në krahun e djathtë të urës, poshtë xhamisë së Sinan Pashës ajo shtrihet kaq ftoftë ndaj kontekstit urban dhe vazhdon të shkaktojë një ndikim të fortë në tjetërsimin e hapësirës publike.

Shpirti i qytetit

Duke e kuptuar qytetin si një vazhdimësi organike e territorit e cila influencon formën e jashtme dhe të brendshme të qytetit, forma në vetvete nuk është e mjaftueshme. Sa më shumë që ta njohim kulturën dhe strukturën e shoqërisë në periudha të ndryshme dhe në vende të ndryshme të botës, aq më në gjendje do të jemi të lexojmë ambientin e tyre të ndërtuar.

Kalaja e Prizrenit dhe integrimi i saj me nënkalanë, qendrën dhe kompleksin e Marashit krijojnë një element të fortë urban që ruan vazhdimësinë dhe njëkohësisht gjeneron formë në qytet.

Asgjë nuk vjen nga asgjëja

Nëse e shohim qytetin nga pikëpamja e formës e cila është e shprehur në hapësirë, kemi konvertuar tokën urbane pa leje, pa marrë aprovim ose pa e bërë atë në përputhje me planin urban-rregullativ. Sa janë përfillur planet rregullative prej qeverisë lokale në tërësi? Sa janë të implementuara ato plane? Pse refuzohen lejet përderisa krejt qyteti ka Planet Rregullative Urbane, Planin Zhvillimor Komunal, Planin Zhvillimor Urban dhe Planin e Konservimit për Qendrën Historike të Prizrenit? Në Zonën e industrisë së lehtë (Dardania 2) ka 6 vite që ekzistojnë planet rregullative dhe i posedon Drejtoria e Urbanizmit por ajo nuk lëshon leje ndërtimi! Kjo ndodh ngaqë qeveria lokale ende nuk e ka bërë riparcelizimin e tyre.. Nëse i referohemi Planit Lokal Gjeneral Urbanistik 2003-2013, më saktësisht në Kuadrantin E 5.6 (ish traseja e hekurudhës), figuron destinimi i sipërfaqes “gjelbërim me përmbajtje” ndërsa kjo përmbajtje është zëvendësuar më blloqe të larta ndërtimore.

Me këto lloj lloj ndërtime njeriu ndihet si i “huaj” në qytetin e vet. Blloqet e krijuara nuk janë në gjendje të ofrojnë një “fytyrë” të re urbane por po kontribuojnë në varfërim shpirtëror dhe varfërim ekonomik të qytetit. Ideja e vazhdimësisë sociale dhe përpjekja për t’i bërë ndërtimet sa të jetë e mundur pjesë e vazhdimësisë urbane po rezulton si e dështuar!

Transformimi dhe “humbja” e vendit

Të gjitha qytetet postmoderne kanë kaluar nëpër faza të transformimit dhe zhvillimit të qytetit mirëpo kjo fazë ka qenë më e shtrirë në kohë çka do të thotë ofronte më shumë mundësi për tu përshtatur apo për tu korrigjuar zhvillimet si rezultat i këtij transformimi. Dallimi është që ne po e kalojmë këtë fazë në një intensitet kohor shumë të shkurtër, ndërsa kompleksiteti me të cilin po përballemi është më i madh.

Për shembull, derisa para luftës kishim lagje të cilat qartësisht ishin lagje banimi, tani pothuajse në çdo lagje banimi, sidomos ato përgjatë rrugëve qarkulluese, katet e para janë transformuar në hapësira afariste. Kjo nga njëra anë e ka bërë lagjen më dinamike por nga ana tjetër ka rritur informalitetin duke krijuar vështirësi socio-urbane, për faktin se tani në lagje hyjnë shumë më tepër “të huaj” që nuk janë të lidhur drejtpërdrejt me lagjen se sa që hynin më përpara.

Lagjja si pjesë përbërëse e qytetit reflekton atë transformim që e ka kaluar e gjithë shoqëria dhe bart të mirat dhe të këqijat e këtij transformimi. Mënyra e komunikimit të njerëzve dhe marrëdhënia e tyre me hapësirën është pjesa që ka pësuar ndryshimin më të madh gjatë këtyre viteve. Ky transformim ka të bëjë me rritjen e densitetit dhe kjo rritje nuk nënkupton rritje vetëm e numrit të banorëve por që niveli i komunikimit midis banorëve ka humbur. Akoma më pikëlluese është fakti se kanë humbur lidhjet e mëparshme emocionale që kemi pasur me bahçen apo pemën apo murin apo ato elemente tradicionale që na identifikonin neve dhe s’po ekzistojnë më sepse tani jemi bërë më “urban”!

Ndërhyrjet vazhdojnë më tej në objektet ekzistuese të banimit, ku secili sipas mënyrës së vet transformon ballkonin, krijon anekse shtesë dhe kjo është pasqyrë e përgjithshme e qytetarëve, është shprehje e vlerave individuale të zhvilluara përgjatë këtyre viteve të fundit. Dhe jo rastësisht këto zona edhe sot e kanë të vështirë të formohen dhe të krijojnë jetesë urbane.

Ndërhyrjet që po bëhen në qytet janë shkak edhe i edukimit të brezave të ri të arkitektëve e urbanistëve nëpër shkolla. Sfida në këtë rast është që përmes zgjedhjeve të dizajnit urban ta transformojmë atë në një situatë urbane më të vetëdijshme, duke filluar nga njohja e thellë e hapësirës urbane dhe duke krijuar mundësi të projektimit dhe ndërtimit të qytetit, përmes strategjive të reja të dizajnit dhe planifikimit urban.

Nga qyteti vernakular tek hapësira pa dimensione

E gjithë kjo problematikë arkitektonike, sociale, ekonomike, e improvizuar qoftë pa arkitekt, qoftë me arkitekt joprofesionist, përveç “shijes së keqe” që është problem i fundit, gjeneron probleme më shqetësuese urbane siç janë: mbingarkimi i infrastrukturës publike, krijimi i konflikteve sociale dhe ligjore të pronësisë dhe të tjerat që i takojnë sektorit mjedisor si pluhuri, mbeturinat, zhurmat etj. Prandaj duhet ndërmarrë iniciativa urgjente për të stabilizuar zhvillimet urbane të paekuilibruara që po marrin jetë në qytet si dhe për të “përshtatur” arkitekturën e re të paorientuar në këtë situatë kaotike.

Planifikimi urban i pakontrolluar është më shumë rezultat i një krize politiko-sociale. Është e rëndësishme në këtë situatë të kombinohet kontrolli i autoriteteve publike dhe shoqërisë, me qëllim që të formohet një atmosferë pozitive e rregullimit urban.

Një gjë që duhet ta kuptojmë në mënyrë të drejtë dhe ta pranojmë sa i përket vizioneve tona urbane është se zgjidhja e problemeve të qytetit është proces i gjatë dhe i përket gjithë atyre njerëzve që jetojnë në te. Pra qasja ndaj regjenerimit të qytetit si proces dhe përfshirja e qytetarëve në këtë proces është përvojë e dëshmuar dhe duhet të kuptohet si e tillë sidomos në rastet kur qyteti ka kërkesa të shumta të cilat kërkojnë të zgjidhen në të njejtën kohë.

Kjo analizë e shkurtër është përpiluar në kuadër të projektit “Urbanism Watch”, i përkrahur nga Fondacioni i Kosovës për shoqëri të Hapur – KFOS