EcoWeek Prishtina [dita 1]

EcoWEEK Prishtina 2015, po mban edicionin e dytë, nga 27 Shtatori deri më 04 Tetor 2015, në Modelarium – Fakulteti i Arkitekturës, Prishtinë. Kjo javë e mundësuar nga organizata joqeveritare ECOciety, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, nisi paraditen e së hënës, më 28 Tetor, me prezantimin e pjesëmarrësve të punëtorive, me tutorët dhe temat e projekteve, e ndjekur me hapjen zyrtare në orën 18:00, me një kokteil e bashkim profesionistësh.

RAPORT DITOR 28.09.2015

Të parat ishin përshëndetjet e Dekanit të FNA, partnerëve të këtij projekti, ndjekur nga fjalimi hyrës i themelueses së EkoWEEK Prishtina, Argjirë Krasniqi.

Paneli i folësve vazhdoi me prezantimet e disa prej të ftuarve të konferencës.

Elias Messinas, arkitekt me formim prej shkollës Yale School of Architecture dhe konsulent në ceshtjet e dizajnin ambjental, themelues i rrjetit ECOWEEK më 2005 në Athinë, Greqi, prezantoi një përmbledhje të shkurtër të filozofisë së Ecoweek dhe aktivitetit këto 10 vite.

Despoina Kouinoglou, e diplomuar në Agrikulturë dhe e specializuar në Hortikulturë e Arkitekturë të Peizazhit, përfaqësuese e Ecoweek në Thessaloniki, ndau me publikun eksperiencën e saj me Ekoweek.

Pas folësve të EKOWEEK, konferenca vijoi me arkitekten franceze Margot Clerg, e specializuar në eco-housing (banesat ekologjike), asistente e Dominique Gauzin-Müller për TERRA Award, pjesë e ekipit Studio Anna Heringer. Ajo ndau me publikun filozofinë e punën e kësaj studio, me parimin “Arkitektura është mjet për të përmirësuar jetë.” Arkitektja prezantoi projekte të tipologjive të ndryshme, si shkollë, qendër trajnimi, banesë, hostel, muze etj, të gjitha me materiale vendore dhe projektuar sipas analizave të gjata të kërkesave të pronarëve të këtyre hapësirave. Këto ndërtesa me arkitekturë vernakulare janë dëshmia e asaj që mund të arrihet, duke patur si referencë parimet ekologjike.

Dita u përmbyll me prezantimin e Komunës së Prishtinës, nga Gyler Mydyti, një historik i planeve zhvillimire të qytetit të Prishtinës.