
Arkitektura në vargjet e profesorit…
nga Arber Sadiki (“Arkitektura në vargjet e profesor Bashkim Fehmiut”)
Ndërlidhja në mes gjinive letrare dhe arkitekturës nuk është një gjë e re. Përkundrazi qoftë në prozë, poezi, apo dramë, arkitektura gjithmonë është prezente pavetëdijshëm si një ambient në të cilin ndodhin ngjarjet apo edhe si qëllim artistik në vetvete për të pasuruar vlerën estetike të gjinisë letrare. Një gjë të tillë e gjejmë qysh në fillet e letërsisë duke filluar nga letërsia greke tek “Odisea” e Homerit me përshkrimet e detajuara që i bënë Odisea shtëpisë së tij pas kthimit nga udhëtimi[1]. Ciceroni, Virgjili, e shumë shkrimtarë të tjerë romak, në mënyra të ndryshme na e kan sjellur imazhin e Romës me shkëlqimin dhe rënien, shpresën dhe dëshprimin e saj.[1] Askush më shumë se Viktor Hygo me veprën e tij “Katedralja e Parisit” nuk kontribuoi në shëndrrimin e këtij objekti në simbol kombëtar francez mu në kohën kur ajo po humbiste shkëlqimin e saj arkitektonik.
Edhe tek letërsia shqipe s’ka pse të ishte ndryshe. Imazhe qytetesh na sjell De Rada tek “Këngët e Milosaos”, Migjeni tek “Novelat e qytetit të veriut”, apo edhe më thellë Faik Konica tek “Doktor Gjilpëra”[2] ku për herë të parë në letërsinë moderne shqiptare përshkruhen raportet në mes qytetit dhe qytetarit, në këtë rast atij të Durrësit dhe Tiranës së viteve të njëzeta të shekullit të njëzet. Edhe Ernest Koliqi tek “Hija e maleve”[3] përmes diskrepancës së profilit të qytetarit në raport me qytetin në fakt përmes gjinisë letrare trajton një çështje tipike të sociologjisë urbane, tematikë kjo që forcohet edhe më shumë tek “Tregtar flamujsh”[4] e të njëjtit autor.
Ky punim nuk ka për qëllim të kontribuojë në argumentimin e kësaj ndërlidhjeje të pakontestueshme e as të merret me analizën e krijimeve letrare të cilat për autorë kanë arkitektë, si ta zëmë poezitë e Mikelanxhelos e Albertit apo ato të Petraq Kolevicës në rastin shqiptar. Qëllimi i punimit është që të kthejë vëmendjen tek ato vepra letrare të cilat qëllim në vetvete e kan arkitekturën, e që nuk janë të shumta as në letërsinë botërore, ndërsa pothuajse plotësisht të patrajtuara në letërsinë shqipe.
Publikimin e plote gjeni ne vegzen ne vazhdim…
______________________
Referencat:
[1] Homer, shek. IX pr.K, “Odisea”, Kënga XXIII.
[2] “Doktor Gjilpëra” u shkrua dhe u botua në gazetën “Dielli” në vitin 1924.
[3] “Hija e Maleve”, përmbledhje me dymbëdhjetë novela u botuar më 1929 në Zarë, Kroaci.
[4] “Tregtar flamujsh”, përmbledhje me gjashtëmbëdhjetë novela u botua për herë të më 1935 në Tiranë.